Vjosa
Duke klikuar numrin e caktuar në hartë, MJEDISET LUMORE ju merr me vete në një udhëtim nëpër ndryshimet dhe vazhdimësitë e panumërta të lumit Vjosë gjatë dy dekadave. Ai paraqet, hartëzon dhe shpjegon se si e kanë ndryshuar lumin ndërhyrjet infrastrukturore njerëzore të vogla dhe të mëdha dhe ndryshimet gjeofizike dhe se si janë përjetuar e jetuar ato nga njerëzit që banojnë në këtë ambjent. Ai shpjegon se si e perceptojnë banorët natyrën dinamike të Vjosës dhe çfarë ndodh kur ajo i nënshtrohet ndërhyrjeve infrastrukturore bashkëkohore.
Vjosa, lumi i këngës
Kur isha i vogël,
shpesh më zinte gjumi,
nga një këngë e bukur,
që vinte nga lumi!
Ninull ish-po kurrë,
s’ja mësova fjalët,
se këndonin brigjet,
se këndonin valet!
Lumi ishte Vjosa,
dimër e behar,
kush jeton pranë saj,
bëhet këngëtar!
Vjosa-more Vjosa,
refren’ i një kënge,
melodi e saj,
si një ninull nëne!
Nga brigjet e lumit,
shkova në qytete,
po Vjosën e mora,
si thesar me vete!
Lumi plot me këngë,
më rriti si djalë,
ndaj këndoj pa prerë,
si Vjosa me vale
Rrjedh një lumë i bukur,
m’u në mes të zëmrës,
Vjosa-more Vjosa,
lumi im i këngës!
Këngë e kënduar nga Poni
Tingujt e Vjosës jehojnë në shumë këngë tradicionale polifonike dhe këngë të tjera popullore, tipike si për Luginën e Vjosës, ashtu edhe për viset e tjera të Shqipërisë. “Vjosa lumi i këngës” i këndon jetës së banorëve pranë lumit dhe kuptimit të tij për jetët e tyre. Kënga thotë se Vjosa rrjedh nëpër zemrat e njerëzve, ndërsa njerëzit që jetojnë në brigjet e saj mishërojnë lumin.