Hidrocentrali Mura - Austri

Rrjedha natyrore e lumit Mura është ndryshuar ndjeshëm nga një zinxhir prej mbi 30 hidrocentralesh (HEC) të ndërtuara kryesisht pas vitit 1974 në rrjedhën e sipërme të tij, në brendësi të alpeve austriake, ku shumica e tyre janë ende në funksion.

 

 

Harta tregon të gjitha hidrocentralet në anën austriake dhe ato të planifikuara në Slloveni.

Digat e shumta mbi rrjedhën e epërme dhe të mesme të Murës në anën austriake, bënë që ajo të humbë qëndrueshmërinë e rrjedhës përmes Sllovenisë. Kjo pati ndikim të konsiderueshëm në vetë nivelin e ujit dhe nivelin e ujërave nëntokësore, si dhe në thellimin e shtratit të lumit,  që vazhdon të ndodhë me intensitet dhe që është shumë problematike. Sipas disa matjeve, shtrati i lumit Mura u thellua me më shumë se një metër, gjë që përshpejtoi erozionin, uli nivelin e ujërave nëntokësore, shkaktoi humbjen e lakimit të shtratit, zvogëloi diversitetin biotik dhe kështu pati ndikim në bujqësi dhe në kultivimin e fushave.

Ndikimi i ndërtimit të një zinxhiri HEC-esh ka rritur luhatjet e ujërave nëntokësore. Përveç luhatjeve sezonale, vihet re edhe një presion i shtuar i ujit brenda digave gjatë stinës së thatë, pikërisht kur është më i nevojshëm për bujqësinë. Në të njëjtën kohë, prurjet e larta përforcohen gjatë periudhave të pikut të reshjeve, duke rritur më tej shpejtësinë dhe ngushtimin e lumit e duke bërë që ujërat nëntokësore të mos mund të rimbushen. E gjithë kjo është pasojë e bllokimit të fortë në rrjedhën e epërme, të cilën nuk e vërejmë në rastin e Vjosës.

Nuk ka ende HEC-e në rrjedhën e poshtme të lumit Mura në Slloveni, Kroaci dhe Hungari (përveç një termocentrali të vogël në Ceršak. Megjithatë, ka plane për të ndërtuar një sërë HEC-esh deri në Legrad (Kroaci).

Në vitin 2019, qeveria sllovene ka ndërprerë të gjitha përgatitjet për ndryshime në Planin Kombëtar Hapësinor që do të përfshinin planet për ndërtimin e HEC-eve mbi Murë, në Hrastje-Mota.

Mura dhe biosfera rreth saj strehojnë rreth 200 lloje zogjsh, 600 lloje bimësh, 1200 lloje fluturash, 1200 lloje brumbujsh, 60 lloje peshqish, 30 lloje gjitarësh, 10 lloje zvarranikësh, 15 lloje amfibësh 95 lloje kërmijsh dhe midhjesh dhe shumë specie të tjera. Disa nga këto specie janë aq të rralla dhe të vlefshme sa janë përfshirë në listën e specieve të mbrojtura.

Ilustrimi tregon specien Umbra krameri, e cila renditet si specie e mbrojtur në Slloveni. Shkaktarët e rrezikimit të saj janë tharja e ligatinave, rregullimi i rrjedhave ujore dhe ndoshta spërkatja e tokës bujqësore.

Burimet: