Siç shprehen shpesh vendasit, Vjosa ka një karakter të paqartë, sepse nga njëra anë i frikësohen natyrës së saj dinamike, nga ana tjetër janë të dhënë pas vitalitetit të saj. “Vjosa është lumë i egër por i mirë”, thonë shpesh fshatarët e Kutës, Qesaratit, Ilirasit, dhe Selenicës. Me këtë ata nënkuptojnë se kanë mësuar të jetojnë me natyrën e tij dinamike, si përmbytjet në muajt e dimrit dhe zhvendosjet e rrjedhës së lumit për shkak të shufrave të mëdha të zhavorrit. Kjo natyrë gjithnjë në ndryshim dhe dinamike e Vjosës është pjesë e socialitetit të tyre dhe anasjelltas. Kjo do të thotë se njerëzit e organizojnë jetën rreth kësaj dinamike të lumit – ata kanë emigruar me shekuj (komunitetet baritore – vllehët/arumunët dhe migrimet e tjera ekonomike), i kanë vendosur fshatrat e tyre kryesisht në kodra, mbi bregun e lumit dhe kanë përdorur bregun e lumit vetëm për qëllime bujqësore apo kullotje dhe jo për transport apo peshkim. Në këtë kontekst, rrjedha e lumit dhe rrethinat e tij gjithashtu ndryshuan, por këto ndryshime u panë më shumë si vazhdimësi , e këtu do t’I referohemi atyre si botë amfibe.